Merkato e janarit është ajo që zë vëmendjen kryesore në këtë periudhë në futbollin tonë. Klubet e Superligës duket se kanë filluar levizjet e para për përforcimin e ekipeve dhe përballimin e pjesës së mbetur të sezonit. Teuta është një nga skuadrat që po lëviz në këtë drejtim. Bregdetarët së fundmi sipas burimeve të Neëwport.al kanë arritur marrëveshjen me Ildi Gruden. Sipas newsport.al, prezantimi i tij pritet të bëhet sot.
Sulmuesi 20-vjeçar që në pjesën e parë të sezonit ishte pjesë e Shënkollit në Kategorinë e Parë duke shënuar edhe 6 gola, në fazën e dytë do jetë një lojtar i Superligës. Drejtuesit e durrsakëve me në krye trajnerin Edi Martini duket se nuk e kanë humbur rastin për të firmosur me një nga sulmuesit më të mirë të Kategorisë së Parë.
Në këtë mënyrë durrsakët zëvendësojnë të larguarin Darko Nikac dhe Gruda ka detyrën e vështirë për të çuar topin në rrjetë. I çuditshëm duket fakti që ekipi mëmë i 20-vjeçarit, Vllaznia nuk u interesua në maksimum për shërbimet e tij. Duke parë edhe krizën e golit te shkodranët si edhe luftën e tyre për mbijetesë.
Megjithatë Teuta, që pretendon një vend në Europë, ka marrë djaloshin e ri që është edhe pjesë e kombëtares U-20 të Shqipërisë. Në këtë mënyrë duke bërë një lëvizje nga e cila mund të përfitojë edhe në të ardhmen duke parë edhe moshën e re të Grudes dhe “shpërthimin” e tij në këtë sezon.
Sulmuesi më përpara ka pasur edhe një eksperiencë jashtë Shqipërisë duke u aktivizuar që në moshën 18-vjeçare me ekipin e Valleta në Maltë. Për të kjo do jetë eksperienca e parë në Superligë./newsport/