Skuadra shkodrane e ka nisur me humbje kampionatin e ri. Mbrëmjen e sotme ajo ka dalë e mundur nga stadiumi “Niko Dovana” në përballjen me Teutën vendase me rezultatin 0-2. Durrsakët kanë shënuar nga një gol në secilën pjesë loje dhe ato u kanë mjaftuar për të marrë tre pikë të tjera dhe sot e shohin veten në krye të renditjes me gjashtë pikë në plota pas javës së dytë të kampionatit. Vllaznia duhet thënë se nuk ka zhvilluar një ndeshje të mirë. Kuptohet që ndikimin kanë patur edhe mungesat në formacion. Kështu, dy malazezët, portieri Dragojeviç dhe mbrojtësi Cicmil nuk janë aktivizuar sepse nuk u kanë ardhur leje- kalimet nga klubet e mëparshme. Kjo krijoi probleme për trajnerin Zmijani të cilët i është dashur të ndryshojë shumë gjëra në formacion.
Po ashtu nuk është aktivizuar një tjetër blerje, ajo e beratasit Arbri që nuk është në kontigjentin e tij më të mirë fizik. Ndeshja ka nisur me Sherrin në portë për të vazhduar me Gurishtën në të djathtë të mbrojtjes, Haxhajn e Markun në qendër dhe Hakajn në të majtë. Borshi ndërkohë ka luajtur para mbrojtjes bashkë me Krymin dhe Ahmetin ndërsa në krahë kanë qenë Shtubina e Lushtaku dhe në majë të sulmit Kdouh. Loja e kuqqebluve nuk ngjitet për asnjë moment në lartësinë e duhur por në minutën e 26-të mbrojtësi Erand Hoxha kalon në avantazh Teutën. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 1-0 për vendasit.Pjesa e dytë nis me një ndryshim kur largohet Krymi dhe në vend të tij është Kapaklija. Pak minuta më vonë largohet edhe libanezi Kdouh dhe në vend të tij është Kiri e po ashtu largohet edhe mbrojtësi Haxhaj dhe në vend të tij është Çinari. Duket një përmirësim në lojë por mungon fuqia konkluduese dhe atë që se bëjnë shkodranët e bëjnë sërish vendasit. Magani kërcen bukur me kokë duke e dërguar në rrjetë një top të ardhur nga e djathta. Këtu duket se ndeshja mbaron dhe në fakt kështu ndodh. Vllaznia ka vetëm dy raste me anë të Kapaklijës dhe Ahmetit që gjuajnë nga jashtë zone por topat kalojnë mbi traversë. Përfundimisht 0-2 dhe kuqeblutë e nisin kampionatin në mënyrën më të keqe të mundshme ndërkohë që kalendari i ndeshjeve të ardhshme nuk është aspak i lehtë teksa do të ndeshen me Skënderbeun dhe Partizanin.
www.shkodrasport.com