Tjetër fitore në kampionat për ekipin e volejbollit të meshkujve të Vllaznisë. Këtë herë ai ka fituar ndaj Teutës së Durrësit, në ndeshjen e luajtur pasditen e së dielës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës.

Takimi nuk ka zgjatur shumë sepse ekipi shkodran ka treguar një dominim të plotë ndaj kundërshtarit dhe për rrjedhojë e ka fituar ndeshjen me rezultatin e pastër 3-0. Djemtë e drejtuar nga trajnerët Artan Kalaja dhe Ermal Kraja, e kanë mundur krejt lehtë ekipin durrsak në një ndeshje që nuk ka zgjatur më shumë se një orë.

Pas javës së gjashtë të kampionatit, Vllaznia ka marrë vendin e parë në renditje. Ajo kryeson me 15 pikë pas 5 fitoreve dhe 1 humbje të pësuar në këto javë. Në vendin e dytë është Erzeni i Shijakut që ka 13 pikë por ka një ndeshje më pak të luajtur.

Këto dy ekipe duket se do të konkurrojnë deri në fund me njëri -tjetrin për vendin e parë në grup, megjithatë Vllaznia duket brenda objektivit sepse ajo për momentin synon sigurimin e kalimit në play-off.

Për ta arritur këtë gjë, asaj i duhet vetëm një fitore në Shkodër ndaj Skënderbeut pas dy javësh dhe në rast se e arrin atë, ka siguruar kalimin në turin final të kampionatit. Aty ku pastaj do të synojë, pse jo edhe titullin kampion.

Megjithatë deri atëherë ka ende shumë rrugë dhe skuadra duhet të përmirësohet sidomos në aspektin fizik sepse ka shumë për të rregulluar në këtë drejtim.