Emocionet e fitores ndaj Partizanit tashmë janë lënë pas në kampin shkodran dhe fokusi është përqendruar tek sfida e rradhës, ajo që Vllaznia do të luajë të shtunën në transfertë ndaj Laçit. Një sfidë shumë e vështirë sepse luhet ndaj një kundërshtari që vërtetë nuk e ka nisur mirë kampionatin, por me përbërjen që ka konsiderohet një nga ekipet më të mira të tij.
Kurbinasit padiskutim që do të synojnë fitoren në këtë ndeshje, por të njëjtën objektiv do të ketë edhe Vllaznia. Djemtë e drejtuar nga trajneri Brdariç duken të motivuar për t’i bërë një mbyllje të mirë fazës së parë të kampionatit dhe patjetër që do të synojnë fitoren.
Diçka pozitive është se në dispozicion të stafit teknik do të jenë të gjithë lojtarët, me përjashtim të Dungës që vazhdon të jetë në vendin e tij. Edhe braziliani Victor da Silva dhe Kruja tashmë janë plotësisht të gatshëm për ta nisur ndeshjen nga minuta e parë dhe kjo do të bëjë që trajneri të ketë më shumë alternativa për ndërtimin e formacionit.
Skuadra ka bërë mirë deri tani dhe sigurisht që do të tentojë të vazhdojë edhe më tej duke e ruajtur vendin e parë në renditje. Me 19 pikët e grumbulluara deri më tani, Vllaznia ka krijuar profilin e një ekipi që do të jetë pretendent deri në fund dhe për këtë arsye, edhe në Laç ajo do të futet në fushë me objektivin e qartë për ta fituar ndeshjen.
Kuptohet që nuk do të jetë aspak e lehtë, por kuqeblutë kanë treguar se edhe në transfertë luajnë po aq bukur sa në Shkodër, megjithatë tashmë ka ardhur koha për të bërë edhe llogari dhe në Laç i duhen pikët, ndoshta edhe me lojë jo të mirë.