Ecuria jashtëzakonisht e mirë që po kalon Vllaznia në këtë sezon, ka ringjallur shpresat e tifozëve shkodranë për të parë sërish një skuadër kampione ashtu si para 20 vitesh.

Dëshira e tyre është jashtëzakonisht e madhe për të qenë në shkallët e stadiumit sidomos në Shkodër, por edhe jashtë, por kjo është e pamundur për shkak të masave anti- covid dhe rregullave të përcaktuara nga institucionet shtetërore. Por nga kjo gjë, më shumë nga të gjithë klubet e tjera me siguri që e ka pësuar klubi Vllaznia.

E kemi fjalën nga ana financiare sepse nga prania e tifozëve në shkallët e “Loro Boriçit”, klubi Vllaznia do të kishte përfituar një shumë të konsiderueshme me të cilën do të kishte rregulluar jo pak gjëra në ecurinë e tij.

Llogaritë janë të thjeshta. Mjafton t’u referohemi çmimeve të mëparshme të biletave, ato prej 5 mijë lekësh të vjetra në tribunat A dhe B si dhe 3 mijë lekë në tribunën përkarshi, për të bërë për përllogaritje të thjeshtë të lekëve që mund të kishte përfituar klubi Vllaznia.

Nëse në stadium në çdo ndeshje do të kishin qenë sëpaku 4-5 mijë tifozë (kuptohet që numri i tyre sidomos në ndeshje të rëndësishme do të kishte qenë shumë më i madh) dhe në arkën e klubit do të kishin shkuar së paku 15 milionë lekë të vjetra në një ndeshje.

Duke llogaritur këtë shumë për 20 ndeshje te te gjithe sezonit (18 në kampionat dhe të paktën 2 në kupë), atëherë shuma që do të kishte përfituar sivjet nga arkëtimet e biletave do të kishte qenë së paku 300 milionë lekë të vjetra.

Një shumë e konsiderueshme që do ta kishte rregulluar sadopak bilancin e klubit, por ja që pandemia i ka shkaktuar një dëm jashtëzakonisht të madh financiar Vllaznisë./SHKODRA-SPORT.COM/