Në Shqipëri janë disa skuadra që kanë hedhur sytë drejt tij dhe deri më tani më të interesuara për të marrë shërbimet e këtij lojtari duken Vllaznia dhe Teuta. E kemi fjalën për sulmuesin shkodran Rubin Hebaj.

Në kampin kuqeblu ka qenë vetë trajneri Jonuz që e ka pohuar interesin për këtë lojtar, por ndërkohë nga Teuta ende nuk ka një konfirmim por duket qartë se trajneri Martini dëshiron ta ketë në skuadrën e tij. Megjithatë 21 vjeçari për momentin ka qenë me pushime.

Familja Hebaj ka vendosur t’i kalonte festat e fundvitit në Dubai ndërkohë që gjatë këtyre ditëve pjestarët e saj kanë vizituar edhe të tjera qytete të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe sot duket se kanë qenë në Sheik Zayed Mosque.

Këtë e tregojnë disa foto që vetë Rubini ka postuar në profilin e tij në rrjetet sociale ku shfaqet vetëm por edhe më të atij, Ridvanin, edhe ky një ish- futbollist i Vllaznisë së viteve ’80.

Sipas informacioneve që mësojmë, Hebaj duhet të kthehet sonte ose nesër në Shqipëri dhe pasi të ndodhë kjo atëherë do të ketë më shumë zhvillime në lidhje me këtë çështje.

Nuk përjashtohet mundësia që në adresë të tij të ketë edhe ndonjë ofertë nga jashtë vendit, çka për Rubinin do të ishte prioritet megjithatë deri më tani duket se e ardhshmja e këtij lojtari do të jetë në Kategorinë Superiore.
© shkodrasport.com