Kur të vjen e mira hapi derën dhe kjo shprehje vlen për Vllazninë. Shembull dhe bukuri e kampionatit, një skuadër që fiton rezultate e simpati, një klub që funksionon dhe mbi të gjitha vlerëson lojtarët e tij duke ndërtuar si duhet edhe të ardhmen.

Fitoret në fushën e blertë dhe forca e grupit kanë ekzaltuar edhe vlerat e individëve, duke krijuar premisat që Vllaznia të fitojë edhe financiarisht, dhe bashkë me privatizimin e pritshëm është pikërisht rruga për të funksionuar si një sipërmarrje e vërtetë.

Në tavolinën e drejtorit sportiv Matko Djarmati është paraqitur një ofertë prej 90 mijë dollaresh për sulmuesin nga Kenia, Ismael Dunga. Biznes me leverdi po të marrësh parasysh se lojtari u mor me parametra zero, e megjithatë oferta është refuzuar.

Klubi funksionon me largpamësi edhe në aspektin administrativ, pasi lojtari që sezonin e kaluar qëndroi në stol te Tirana, konsiderohet tani një aset i çmuar dhe ata që e duan, duhet të takojnë pretendimet financiare të kuqebluve.

Por ky nuk është rasti i vetëm, pasi krye-golashënues i kampionatit sot është Ardit Hoxhaj, me 7 finalizime në 13 prezenca në kampionat, teksa vlen të përmendet se 8 shënoi gjithë sezonin e kaluar në plot 33 ndeshje për Flamurtarin.

Në garën e bomberave për Këpucën e Artë, të dominuar nga lojtarët e ardhur nga jashtë, është ndër të paktët që mban lart flamurin e prodhimit vendas, por jo vetëm. Ecuria e ka kthyer edhe atë një objekt dëshirash në merkato dhe Vllaznia ka patur edhe një ofertë për 26-vjeçarin.

Sërish edhe kjo është refuzuar, pasi sigurisht ecuria fantastike deri më tani, ka bindur drejtuesit se ky është viti i tyre dhe për ta bërë triumfues, ju duhet pikë së pari të ruajnë skuadrën që po ecën me marshin e suksesit.

Dy oferta të refuzuara nuk janë pak, sidomos kur bëhet fjalë për një klub me të kaluarën e Vllaznisë. Brenda pak muajsh, nga skuadra ku lojtarët bojkotonin stërvitjen për shkak të mungesës së pagave, Vllaznia është kthyer në klubin që ka luksin të refuzojë oferta./supersport/