Edhe pse vetëm 17-vjeç, Flavio Fusha prej kohësh nuk është më një emër i zakonshëm në radhët e Akademisë Vllaznia. Sulmuesi shkodran, i cili ka një gjatësi për t’u admiruar, duke qenë 1.94 i gjatë, ka kaluar çdo filtër moshe me performancë, gola dhe rritje të vazhdueshme, duke u shndërruar në një nga elementët më konstantë dhe më premtues të brezit të ri kuqeblu. Megjithatë, një pyetje lind natyrshëm: Pse Flavio Fusha ende nuk thirret për t’u stërvitur me ekipin e parë të Vllaznisë?
Shifrat dhe faktet flasin qartë. Në sezonet e fundit, Fusha ka qenë protagonist në çdo skuadër ku është aktivizuar. Nga U-15 e deri te U-17 dhe U-18, ai ka shënuar rregullisht, duke u konfirmuar si golashënues tipik, një “9-sh” klasik, me nuhatje për portën, qetësi në finalizim dhe aftësi për të zgjidhur ndeshje.
Vetëm në këtë sezon me Vllazninë B, ai ka realizuar disa gola vendimtarë, duke qenë ndër më të mirët e kampionatit. Por nuk janë vetëm golat që e veçojnë. Ata që e ndjekin nga afër e dinë se Flavio Fusha është një sulmues që ka bërë progres të dukshëm në lojën pa top, në pozicionim, në presing dhe në raportin me shokët e skuadrës. Një lojtar që nuk mbështetet vetëm te talenti natyral, por që ka treguar disiplinë dhe punë të vazhdueshme, elemente këto thelbësore për kalimin në futbollin e të rriturve. Vllaznia historikisht është krenuar për nxjerrjen e talenteve nga akademia.
Shumë emra që sot kanë bërë karrierë në Superiore apo jashtë vendit, kanë kaluar pikërisht këtë rrugë: fillimisht grumbullim me ekipin e parë, stërvitje me lojtarë me eksperiencë dhe më pas aktivizim gradual. Në këtë kontekst, mungesa e Flavio Fushës në stërvitjet e ekipit të parë mbetet e pakuptueshme. Askush nuk po kërkon që një 17-vjeçar të mbajë mbi supe peshën e repartit ofensiv të Vllaznisë. Por ftesa për t’u stërvitur, për të marrë kontakt me ritmin, intensitetin dhe kërkesat e futbollit profesionist, do të ishte një hap logjik dhe i domosdoshëm për zhvillimin e tij.
Sidomos kur bëhet fjalë për një sulmues që ka treguar vazhdimësi dhe efikasitet sezon pas sezoni. Nëse një lojtar që shënon rregullisht, që spikat në çdo grupmoshë dhe që konsiderohet potencial i së ardhmes, nuk merr as mundësinë minimale për t’u afruar me ekipin e parë, atëherë lind shqetësimi për kriteret mbi të cilat ndërtohet kalimi nga akademia te skuadra A.
Flavio Fusha nuk ka nevojë për favore. Ai ka nevojë për mundësi. Dhe deri tani, këto mungojnë. Nëse Vllaznia synon të ndërtojë të ardhmen mbi bazën e meritës dhe produktit të saj, atëherë injorimi i talenteve si Fusha rrezikon të kthehet në një paradoks të rrezikshëm. Talenti është aty. Golat janë aty. Perspektiva është e qartë. Tani topi është në fushën e Vllaznisë.


