Vllaznia e re nis nga trajneri dhe pas largimit të maqedonasit Goçe Sedloski, drejtuesit e klubit shkodran nuk kanë vendosur ende për emrin që do të marrë përsipër stolin kuqeblu për sezonin 2023-2024.
Katër ditë më parë, Vllaznia zyrtarizoi largimin e Goçe Sedloskit, teksa tashmë drejtuesit e klubit janë në kërkim të emrit të ri që do të drejtojë skuadrën në vazhdim.
Burime të sigurta në klubin kuqeblu bëjnë të ditur për “Shkodra Sport” se ka disa dilema për sa i përket çështjes së trajnerit. Drejtuesit dhe presidenti Alban Xhaferi janë të dyzuar, sepse emri i atij trajneri që do të zgjedhin që të drejtojë skuadrën, do të jetë edhe për sezonin e ardhshëm në Superiore.
Kështu, lista e emrave që kanë qarkulluar dhe janë lakuar deri më tani, për postin e trajnerit të Vllaznisë në sezonin e ri është e gjatë. Edi Martini, Samuel Nikaj, Armando Cungu, Ernest Gjoka, Thomas Brdariç, Ardian Nuhiu, Orges Shehi dhe Emiliano Çela kanë qenë emrat që janë lakuar gjatë kësaj periudhe si të mundshëm për të marrë drejtimin e Vllaznisë.
Në fakt, burime të sigurta në klubin kuqeblu bëjnë të ditur për “Shkodra Sport” se trajneri do të përcaktohet përfundimisht pasditën e sotme ose gjatë ditës së nesërme. Megjithatë, një gjë e tillë mbetet për t’u parë, pasi realisht nuk ka asgjë të sigurtë.
Maringlen ZHIVANI