Vllaznia në volejboll për femra e ka nisur me fitore vitin 2022. Në ndeshjen e parë të këtij viti, atë ndaj Teutës të vlefshme për Kupën e Shqipërisë, volejbollistet shkodrane kanë fituar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” me rezultatin 3-1.
Ndeshja është dominuar prej tyre dhe në fakt, trajneri Tafa ka patur mundësi të aktivizojë edhe disa nga lojtaret e stolit. Ekipi kuqeblu e ka fituar setin e parë me rezultatin 25 me 22 dhe kjo krijoi përshtypjen se do të ishte një fitore e lehtë, por nuk do të ndodhte kështu.
Në setin e dytë, Teuta erdhi duke e rritur lojën e saj dhe arriti ta barazonte disa herë rezultatin duke patur shumë rivalitet teksa në fund ishte barazimi 23 me 23 dhe në fund miket do të fitonin 25 me 23 duke barazuar numrin e seteve në 1-1.
Një gjë e tillë solli reagimin e volejbollisteve kuqeblu që i fituan pa shumë vështirësi dy setet e tjera dhe në këtë mënyrë krejt ndeshjen me rezultatin 3-1. Me këtë fitore, Vllaznia vijon rrugëtimin e saj plot pretendime në Kupën e Shqipërisë dhe tashmë i kanë mbetur edhe dy ndeshje të tjera për të luajtur deri në mbylljen e eliminatoreve.
Në rast fitoreje të të dy këtyre takimeve, shanset janë shumë të mëdha, që ekipi shkodran të shkojë në gjymsëfinale të këtij kompeticioni. Duhet thënë se nga Vllaznia kohët e fundit ka patur një largim, atë të volejbollistes Sara Hasku që do ta vazhdojë karrierën e saj në Luksemburg, ndërkohë që deri më tani nuk ka asnjë përforcim.
Pretendimet e saj janë për të qenë konkurruese deri në fund si në kupë ashtu edhe në kampionat, por me kontigjentin që ka duket paksa e vështirë sepse ekipet e tjera janë përforcuar shumë./SHKODRA-SPORT.COM/