Tre ndeshje miqësore, tre fitore për ekipin e Vllaznisë në basketboll për meshkuj. Përgatitjet e këtij ekipi për pjesmarrjen në Ligën Ballkanike duket se po shkojnë në mënyrën e duhur. Ato gjatë ditëve të fundit kanë zhvilluar tre takime miqësore, fillimisht në Kosovë me ekipin Bashkimi të Prizrenit, më pas me ekipin e Ulqinit dhe dje kanë zhvilluar ndeshjen e rradhës ndaj ekipit të Zetës që është nënkampion i Malit të Zi. Në fund të kësaj miqësoreje të luajtur në Podgoricë, Vllaznia ka fituar me rezultatin 83-77 pas një lojë të dominuar gjatë të gjithë kohës nga shkodranët.

Forca e kësaj skuadre duket se është rritur shumë pas ardhjes edhe të dy malazezëve Gavriniq e Pajoviç si dhe të kroatit Petriç. Bashkë me slloveni Sarajlija por edhe me shkodranët Berdica, Arra, Ndoja, Llazani, Taraboshi, Bekteshi etj, është krijuar një skuadër shumë solide e kjo po tregohet edhe në miqësoret që ajo po zhvillon. Deri më 14 tetor kur do të luhet në Prishtinë ndeshja e parë e Ligës Ballkanike, Vllaznia me shumë siguri do të zhvillojë të tjera ndeshje miqësore për të perfeksionuar edhe më shumë lojën e saj dhe shkrirjen e lojtarëve të ardhur me ata që kanë qenë pjesë e skuadrës.

© shkodrasport.com