Pas sukseset në kampionatet e 16 dhe 18 vjeçarëve ku zuri vendin e parë dhe u shpall kampion, Vllaznia në atletikë sot është shpallur edhe fituese e Kupës së Shqipërisë me të rriturit.

Ky është verdikti i garave të zhvilluara ditën e sotme në Elbasan, në përfundim të të cilave ekipi shkodran me mbi 200 pikë të grumbulluara, ka merituar vendin e parë, i shkëputur në renditje nga Tirana e vendit të dytë.

Një paraqitje shumë e mirë e atletëve kuqeblu të cilët ndonëse pa praninë e dy prej sportistëve më të mirë të saj në këto gara, pikërisht të Izmir Smajlajt dhe Ergys Gjeçajt që po stërviten në Spanjë, sërish arritën sukses.

Ka spikatur mbi të gjithë atleti Franko Burraj. Kampioni në fuqi i vendit në garën e 400 metrave, edhe sot ka bërë një paraqitje fantastike në këtë disiplinë.

Me kohën 47’89”, ai jo vetëm ka zënë vendin e parë por i është ofruar me një sekondë rekordit kombëtar që mbahet nga shkodrani i mirënjohur Ilir Xhani prej 15 vitesh.

Paraqitjet e fundit të Burrajt janë mbresëlënëse dhe me siguri që shumë shpejt ai do të arrijë ta thyejë këtë rekord.

Po ky sportist ka zënë vendin e parë edhe në garën e 200 metrave. Njëkohësisht Franko Burraj është shpallur edhe sportisti më i mirë i Kupës në fund të aktivitetit nisur nga pikët olimpike të grumbulluara.

Po dy vende të para ka zënë edhe një tjetër atlet i Vllaznisë, Ravio Rama që ka dalë fitues në 100 dhe 110 m/p.

Në kërcim së gjati fitues është shpallur Gledis Halluni i Vllaznisë me distancën 7.16 m ndërsa në trehapësh atleti tjetër shkodran Muhamet Çengeli që ka kërcyer 14.63 m.

Ekipi i Vllaznisë ka zënë vendin e parë edhe në garën e stafetës 4 x 100 m dhe në përbërje të tij në këtë garë kanë qenë sportistët Daniel Guri, Lulëzim Çengeli, Muhamet Çengeli dhe Franko Burraj.

Me gjithë këto vende të por edhe me ato të dyta dhe të treta të arrita nga sportistët e tjerë si Lulëzim Çengeli, Edison Çardaku, Durjon Idrizaj, Vllaznia padyshim që e meritoi edhe vendin e parë në renditjen ekipore.

Një paraqitje të mirë kanë bërë edhe sportistët e rinj Heldi Valikaj, Xhulian Guri, Kristian Rrushini, Arbër Bajraktari dhe Endri Rakaj.

Ndërkohë në garat e femrave për t’u veçuar është sportistja Erisa Rrasa e cila si në trehapësh ashtu edhe në kërcim së gjati, ka zënë vendin e dytë ndonëse është vetëm 15 vjeç dhe ka konkurruar me të rriturat.

Në këtë mënyrë, mbyllet edhe një tjetër aktivitet në mënyrë të suksesshme për ekipin e Vllaznisë.

Kjo falë rezultateve të arritura nga atletët dhe punës së shkëlqyer të trajnerëve Vildan Tufi, Albert Marashi, Fatjon Serhati, Bruno Rrotani dhe Dorian Tafa.

Më poshtë keni një përmbledhje të rezultateve të atletëve të Vllaznisë në garat e sotme të Kupës së Shqipërisë.
Rezultatet:
100 m: Ravio Rama              vend i parë 10’99”
Lulëzim Çengeli        vend i dytë
Edison Çardaku       vend i tretë

110 m/p: Ravio Rama          vend i parë 14’90”

200 m: Franko Burraj          vend i parë 22’01”

400 m: Franko Burraj          vend i parë 47’89”

Së gjati: Gledis Halluni        vend i parë 7’16 m
Muhamet Çengeli vend i dytë 6.90 m
Durjon Idrizaj       vend i tretë

Trehapësh: Muhamet Çengeli vend i parë 14.63 m
Gledis Halluni vend i dytë
Durjon Idrizaj vend i tretë

Stafetë 4 x100 m: Vllaznia (Daniel Guri, Lulëzim Çengeli, Muhamet Çengeli, Franko Burraj) vend i parë 43’08”

Sportisti më i mirë: Franko Burraj