Vllaznia futsall nuk ia ka dalë të fitojë edhe Kupën e Shqipërisë për sezonin 2025-2025. Ajo është mundur në finale nga Flamurtari me rezultatin 3-2. Sfida në mes këtyre dy skuadrave është zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” pasditen e sotme dhe dhuroi emocione të shumta, me një ndeshje të luftuar dhe të hapur deri në minutat e fundit.
Vllaznia kaloi e para në avantazh në minutën e 7-të me golin e Besfort Gjoklajt. Flamurtari barazoi në minutën e 11-të me Shehajn. Skuadra shkodrane rimori epërsinë në minutën e 16-të me Hysenajn, ndërsa sërish Shehaj vendosi baraspeshën në minutën e 19-të. Pjesa e parë u mbyll në barazim 2-2.
Në fraksionin e dytë, Flamurtari arriti të siguronte fitoren dhe trofeun në minutat e fundit, me golin vendimtar të Kalus, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-2.
Pas përfundimit të finales u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së medaljeve dhe trofeut. Specialisti i futbollit amator në FSHF, Florian Riza, i dorëzoi medaljet dhe trofeun ekipit fitues, Flamurtari Futsal.


