Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia futsall ka marrë një fitore me shumë vlerë ndaj Flamurtarit, duke u kualifikuar për në finalen e kampionatit. Tashmë, kuqeblutë do të ndeshen në finale me Tiranën.

Trajneri dhe kapiteni i ekipit të Vllaznisë në futsall, Alsid Tafili, duke folur për “Shkodra Sport” pas këtij suksesi u shpreh shumë i lumtur. Tafili theksoi se skuadra do të përgatitet maksimalisht për finalen me Tiranën dhe së bashku, me ndihmën e tifozëve mund t’ia dalin për të sjellur titullin në Shkodër.

“Rezultati me Flamurtarin na ngroh shumë. Edhe lojtarëve i jep moral dhe motivim për ndeshjen finale ndaj Tiranës. Të shohim tani në finale. Deri më tani, kemi bërë gjysmën e punës. Objektivi ynë është ta sjellim titullin në Shkodër. Të shohim. Duhet të japim gjithçka me Tiranën në finale ditën e dielë. Ne jemi gati dhe po përgatitemi maksimalisht.

Ne jemi ndërtuar për objektiva madhore që në fillim. Tashmë, jemi afër dhe ka ngelur vetëm një ndeshje. Mendoj se kemi një skuadër të përgatitur dhe me cilësi për të fituar.

Tirana është ekipi kampion në fuqi dhe kanë dominuar në këtë sport në vitet e fundit, por ne do japim maksimumin tonë deri në fund që të dalim me sukses. Kam besim se së bashku me ndihmën edhe të tifozëve, mendoj se mund t’ia dalim me sukses”,-tha kapiteni dhe trajneri i Vllaznia futsall, Alsid Tafili, në intervistën e tij për “Shkodra Sport”.