Ndeshja e kupës së Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Labërisë që përfundoi në shifrat 4-0 për shkodranë, pa që në formacionin titullar të ishin edhe dy sulmuesit Djurdjevic dhe A.Hoxhaj. Dyshja që ka pasur probleme fizike gjatë këtij fillim sezoni duket se ka lënë problemet pas shpine.
Të dy u dukën në një formë të mirë sportive, ku ndoshta disi me një ritëm më të lartë ishte Djurdjevic i cili edhe shënoi. Por, sinjale pozitive edhe nga vlonjati Hoxhaj, që merr minutat e para këtë sezon. Hoxhaj ishte një element i rëndësishëm i Vllaznisë sezonin e kaluar, ku arriti të shënojë 13 gola në kampionat.
Tashmë Brdaric duket se repartin e sulmit e ka në “top” formë. Ku edhe titullarët e zakonshëm Latifi dhe Aralica, apo edhe Çoba japin garanci për ndeshjen e rradhës kundër Dinamos. I vetmi që shqetëson nga sulmuesit është Victor Da Silva.
Braziliani ka shfaqur probleme fizike që nga takimi i javës së tretë kundër Partizanit. Ende nuk dihet nëse do jetë i gatshëm për takimin e së hënës kundër bluve kryeqytetas. Megjithatë elementët cilësor në sulm për shkodranët nuk mungojnë dhe trajneri Brdaric do ketë gati “artilerinë” e rëndë kundër Dinamos.
Endri ÇINARI