
Tirana ka mundur sot në mbrëmje 3-2 Vllazninë në ndeshjen e javës së 15-të të Kampionatit Kombëtar në Volejboll për meshkuj, një fitore me përmbysje e bardhebluve, që humbisnin 0-2 pas dy seteve të para. Miqtë nga Shkodra menduan se e fituan ndeshjen e luajtur në “Fahrie Hoti”, por nuk i bënë mirë llogaritë dhe më pas u detyruan të dalin kokulur nga fusha. Dy setet e para janë nën komandën e miqve, që shkëputen e fitojnë 25-20 e 25-22, por sfida dhuron emocione edhe në vijim. Tirana nuk heq dorë, fiton 25-19 setin e tretë dhe më pas triumfon 27-25 në setin e katërt, duke u treguar më e saktë dhe e kujdesshme në pikët shtesë.Dramacitet edhe në setin final, fituar 15-12 nga bardheblutë, që bëjnë një përmbysje fantastike, duke bërë një hap të madh drejt play off-it. Ekipet dhuruan një lojë shumë të bukur, një ndeshje spektakolare, mes dy ekipesh pretendente, por humbja mund t’i kushtojë rëndë Vllaznisë. Tashmë shkodranët janë 5 pikë larg Tiranës dhe zona e play off-it mbetet gjithnjë e më larg.
© shkodrasport.com