Kupa e Shqipërisë në volejboll për meshkuj ka luajtur dje ndeshjet e ditës së katërt në Grupin A. Tirana vazhdon serinë e fitoreve, e tashmë e ka siguruar matematikisht kualifikimin si vend i parë në grup, falë fitores 3-0 kundër Studentit. Një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit ka hedhur edhe Skënderbeu, që mundi Vllazninë 3-1, e tashmë korçarët do të luftojnë për një biletë që të dërgon në gjysmëfinale kundër Studentit më datë 17 dhjetor.

Vllaznia po kalon nje moment jo te mire javet e fundit dhe pas humbjes pak dite me pare ne Shkoder 0-3 ndaj Tiranes, vjen edhe kjo humbje dhe tashme shanset per te qene ne gjysmefinale duken te pakta.

Korçarët morën një fitore të bukur në fushën e tyre, duke mundur një rival të drejtpërdrejtë si Vllaznia. Takimi i zhvilluar në pallatin e sportit “Tamara Nikolla” u mbyll me rezultatin 3-1 në favor të vendësve. Gjithsesi, sfida ishte e luftuar nga fillimi e deri në fund, ku të gjitha setet u vendosën nga diferenca të ngushta pikësh.

Në fraksionin e parë Skënderbeu triumfoi pas pikëve shtesë 26- 24, ndërsa Vllaznia u përgjigj në setin e dytë në shifrat 21- 25, duke vendosur baraspeshën. Në setin e tretë u deshën sërish pikët shtesë, teksa korçarët fituan 26-24. Ndërsa me triumfin 25-22 në setin katërt, vendësit vulosën suksesin e merituar 3-1, duke e mbyllur me festë këtë takim para publikut të tyre.