Dilemat për vendin dhe ditën e zhvillimit të ndeshjes Vllaznia- Bylis tashmë kanë marrë fund dhe Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që ajo të luhet të hënën në orën 18.00 në stadiumin “Loro Boriçi”.

Për këtë arsye, tashmë në kampin shkodran kanë filluar të bëhen gati për këtë takim shumë të rëndësishëm ndaj njërit prej ekipeve më në formë të kampionatit. Tek Vllaznia në këtë pragndeshje megjithatë gjërat nuk kanë shkuar dhe aq mirë.

Siç dihet, do të mungojnë për arsye kartonash mbrojtësi Gurishta dhe mesfushori Ramadani por duket se këto dy futbollistë nuk do të jenë të vetmit që nuk do t’i ketë në dispozicion stafi teknik.

Kjo ngaqë në dyshim vazhdojnë të jenë edhe braziliani Hygor dhe maqedonasi Gligorov. Ata munduan edhe në Laç javën e kaluar për shkak dëmtimi dhe duket se nuk do të jenë gati as për sfidën ndaj Bylisit.

Trajneri Jonuz gjithsesi do të presë deri në fund fjalën e mjekëve për këta dy lojtarë megjithatë ai ka filluar t’i bëjë planet pa to. Takimi konsiderohet shumë i rëndësishëm dhe në fakt tek Vllaznia nuk po mendojnë se kush duhet të jetë në fushë dhe kush jo.

Ata që do të përzgjidhen për formacion, duhet të japin maksimumin që skuadra të marrë fitoren në mënyrë që të harrojë humbjen në Laç dhe të vijojë me rezultatet pozitive edhe në takimet e ardhshme.

Kuqeblutë kanë bërë një fazë të parë shumë të mirë dhe sigurisht që do të tentojnë të njëjtën gjë edhe në të dytën ndonëse nuk e kanë filluar mirë atë. Por nëse mundin Bylisin, çdo gjë do të kthehet në normalitet.