Vllaznia kryeson Superioren me meritë. Dhe është një klub model, sa i takon raportit që ka krijuar me mediat. Qoftë trajneri Thomas Brdaric, qoftë drejtori sportiv Matko Djarmati, janë treguar përherë të gatshëm të përballen me gazetarët.
Jo se kanë luksin e një sezoni mbresëlënës, por sepse dëshmojnë profesionalizmin e vendeve nga vijnë. Në këtë drejtim, për të “prishur syrin e keq”, të dy drejtuesit e sipërcituar të kuqebluve kanë “rekrutuar” edhe dy gazetare bukuroshe.
I pari që i dha numrin 17 të Vllaznisë drejtueses së emisionit sportiv “Fair Play”, Enkelejda Zeko, ishte trajneri Brdaric. Si për ogur të mirë, para ndeshjes së djeshme me Partizanin, drejtori Djarmati bëri të njëjtën gjë me gazetaren e Supersport, Lei Kraja.
Për këtë të fundit, duke qenë se është shkodrane, kishin rezervuar numrin 1. Të cilin e mbajnë portierët në futboll. Dhe portieri i vërtetë i Vllaznisë, Zogovic, shkëlqeu në atë pritje spektakolare të gjuajtjes së Esat Malës, duke e mbajtur të paprekur rrjetën e tij.
Ndoshta e kishte marrë frymëzimin nga jashtë fushe…, nga ajo që mori si “peshqesh” fanellën me numrin 1!!!/albania- sport/