Vllaznia është spostuar në Bosnje prej ditësh tashmë, atje ku po vijon përgatitjet në kampingun e Medjugorjes. Kjo periudhë e fazës përgatitore është programuar të shoqërohet edhe me ndeshje miqësore të ndryshme.
Nga tre të tilla të planifikuara për t’u zhvilluar, miqësorja e parë u luajt të shtunën e kaluar përballë ekipit vendas të NK Medjugorjes. Kjo miqësore foli tërësisht për skuadrën kuqeblu, e cila me një dominim total doli fituese e të gjithë ndeshjes me rezultatin e thellë 0-4.
Ky test u konsiderua pozitiv nga stafi teknik dhe trajneri Migen Memelli, por realiteti është se përballë ishte një kundërshtar modest i Kategorisë së Dytë boshnjake. Megjithatë, një ndeshje më e fortë do të jetë ditën e nesërme kur Vllaznia do të luajë miqësoren e dytë.
Tashmë këtë rradhë, kundërshtari do të jetë nga Superliga boshnjake dhe më konkretisht bëhet fjalë për ekipin e NK Posusje. Ndoshta, kjo miqësore mund të jetë një “matës” më i mirë se ndeshja e fituar 0-4, por kjo mbetet për t’u parë në fushën e blertë.
Ndërkohë, edhe ditën e sotme, kuqeblutë kanë vijuar përgatitjet me nga dy seanca stërvitore në ditë. Paradite, futbollistët u ushtruan në sallë force dhe pasdite pritet të jenë në fushën e blertë për të aplikuar ushtrime të karakterit tekniko-taktik.
Maringlen ZHIVANI