Skuadra e Vllaznisë ka zhvilluar një ndeshje shumë të dobët në takimin e sotëm të luajtur në Laç ndaj skuadrës vendase dhe prandaj është mundur me rezultatin 3-0. Takimi ka nisur me 10 minuta vonesë nga ekipi shkodran ka protestuar në adresë të FSHF-së e cila nuk mori parasysh zëvendësimin e gjyqtarit Kridens Meta i cili ka qenë edhe më parë i kontestuar prej tij.Ndeshja është kontrolluar tërësisht nga vendasit të cilët nuk kanë hasur në rezistencën e kuqebluve ashtu siç ishte menduar. Vllaznia u duk se e nisi me frikë takimin dhe ka pësuar gol që në minutën e 10-të. Shkodrani Erjon Vucaj që luan për Laçin, ka ekzekutuar në mënyrë perfekte një goditje dënimi nga rreth 30 metra dhe topi ka përfunduar në trekëndësh. Pas pësimit të këtij goli, reagimi i kuqebluve ka qenë shumë i dobët dhe për rrjedhojë nuk kanë arritur të rrezikojnë asnjëherë portën kundërshtare. Në minutën e 35-të tjetër goditje dënimi për Laçin. Vucaj këtë herë preferon një skemë duke pasur në zonë tek shokët e tij të skuadrës dhe Ofojeh është i lirë duke shënuar golin e dytë. Në minutën e 41-të, Vucaj sërish bën gjithçka mirë duke kaluar gjithë mesfushën, mbrojtjen dhe në fund edhe portierin Vujadinoviç dhe duke shënuar golin e tretë. Në fillimin e pjesës së dytë trajneri Canaj ka larguar nga fusha Bushiç dhe Shtubinën duke aktivizuar Krujën dhe Gjinin e më vonë largon edhe Hajdarin për Dibrën por asgjë nuk ndryshon. Ka vetëm një moment të rrezikshëm kur Baci në minutën e 81-të ka goditur shtyllën me një gjuajtje të fortë dhe vetëm kaq. Vllaznia kësisoj është mundur 0-3 duke mbetur sërish në kuotën e 21 pikëve në renditje. Një humbje kjo që patjetër duhet analizuar nga drejtuesit e saj për të nxjerrë shkaqet e asaj loje shumë të dobët të zhvilluar.
Laçi- Vllaznia 3-0
Laçi: Llani, Buljan, Ofojeh, Kastrati, Sefgjini, Teqja, Vucaj, Veliaj, Nimani (Nino 76′), Brkiç, Tanushi (Ndreca 56′). Tr: Stavri Nica
Vllaznia: Vujadinoviç, Gocaj, Kraja, Semina, Baci, Sykaj, Belisha, Tafili, Shtubina (Kruja 46′), Hajdari (Dibra 65′), Bushiç (Gjini 46′). Tr: Agim Canaj
Shënues: Vucaj ’10, ’41, Ofojeh ’35
Gjyqtarë: K. Meta, G. Qirici, D. Myftaraj (Tiranë)
Kartona të verdhë: Teqja, Tanushi, Veliaj, Nimani/ Semina, Belisha