Vllaznia do e hapë këtë vit kalendarik të futbollit me ndeshjen kundër Tiranës në datën 15 janat. Takimi do jetë i vlefshëm për javën e 16-të të kampionatit dhe do zhvillohet në stadiumin “Air Albania”.

Kjo është edhe një përballje direkte për titull kampion, ku shkodranët janë në ndjekje të bardhebluve. Megjithatë statistikat e Vllaznisë për ndeshjen hapëse të vitit në 3 sezonet e fundit janë shumë pozitive.

Kështu në ndeshjen hapëse të vitit 2019, kuqeblutë kanë mundur Kamzën me rezultatin 2-1. Një takim që ishte i vlefshëm për kupën e Shqipërisë. Ndeshja zhvillohej në datën 23 janar 2019.

Në vitin 2020, në datën 21 janar, 9 herë kampionët e vendit do mposhtnin Flamurtarin në shifrat 2-0. Përballja ishte e vlefshme për kampionatin e Superligës. Tradita pozitive do vijonte edhe më 8 janar të vitit 2021, në ndeshjen hapëse të vitit të shkuar, Vllaznia mposhte me shifrat 1-0 ekipin e Teutës.

Statistika shumë pozitive këto të kuqebluve që kundër Tiranës do kërkojnë ta vijojnë këtë traditë kaq pozitive të fillim vitit. Patjetër edhe për të ngushtuar sa më shumë diferencën me kreun që mbahet nga kryeqytetasit në këtë fillim të gjysmës së dytë të sezonit.

Endri ÇINARI