Ndryshime në pankinë, ndryshime edhe në programin stërvitor për ekipin e Vllaznisë. Trajneri Mirsad Jonuz është duke u munduar që të aplikojë një stërvitje ndryshe për futbollistët e tij dhe një nga të veçantat është edhe zhvillimi i stërvitjes një ditë pas ndeshjes zyrtare.

Kjo është aplikuar edhe javën e kaluar pas miqësores me Besëlidhjen dhe u aplikua edhe sot pas ndeshjes së kampionatit me Laçin.

Për këtë arsye, të gjithë futbollistët sot në orën 09.00 të paradites kanë qenë të pranishëm në kompleksin “Zmijani” për të zhvilluar seancën e rradhës.

Nesër ndërkohë është planifikuar zhvillimi i një analize të kësaj ndeshje fillimisht dhe pasdite ekipi do të zbresë në fushën e stërvitjes, ku kuptohet ata që kanë luajtur ndaj Laçit do të bëjnë një stërvitje më të lehtë.

E rëndësishme është që gjërat filluan mirë për Vllazninë me fitoren e arritur ndaj Laçit në ndeshjen e parë, por kuqeblutë nuk kanë kohë “të marrin frymë” sepse të mërkurën do të përballen me Bylisin në kuadrin e javës së dytë të kampionatit.
www.shkodrasport.com