Atë që nuk po ua dhuron futbolli shkodranëve, po ua dhuron basketbolli. Mjafton të ishe present mbrëmjen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” për ta vërtetuar këtë gjë. Mbi 1 mijë tifozë të pranishëm në ndeshjen Vllaznia- Kamza Basket. Madje numri I tyre mund të kishte qenë edhe më I madh nëse do kishte vende të tjera. Shumë vetë kanë qëndruar në këmbë dhe të tjerë në pamundësi për të gjetur një vend, janë larguar. Ndeshja në fakt ka qenë shumë e bukur. E denjë për një kryesfidë. Shkodranët e kanë filluar në sulm që në fillim dhe janë ata që udhëheqin që nga sekonda e parë.
Arrijnë të shkëputen deri në 15 pikë gjatë periodës së parë megjithatë në fund të 10 minutave fiksohet rezultati 28-24 për ta. Në të dytën e njëjta histori. Sërish Vllaznia udhëheq por Ndoja plotëson tre gabime personale shpejt dhe Gjeçaj e ul në stol për ta ruajtur. Bën të njëjtën gjë edhe me Gjokoviç herëpashere. Avantazhi gjithsesi ruhet dhe perioda e dytë mbyllet 24-20. Vendasit shkojnë në pushim me 8 pikë epërsi. Në pamje të parë e mjaftueshme për ta nisur mirë pjesën e dytë por nuk do ndodhte kështu. Kamza Basket luan më mirë, shfrytëzon disa gabime të Vllaznisë dhe shënon rradhazi disa pikë. Ka edhe nervozizëm në momente të caktuara tek basketbollistë shkodranë. Arra plotëson numrin 4 të gabimeve dhe trajneri e ul në stol për të ruajtur. Pikërisht në minutën e gjashtë të periodës së tretë, Kamza kalon për herë të parë në avantazh, 65-63. E ruan vetëm pak sekonda sepse Vllaznia kundërpërgjigjet duke ngushtuar shifrat megjithatë perioda e tretë fitohet nga miqtë 25-19. Rezultati është ngushtuar në vetëm dy pikë, 71-69 kur kanë mbetur edhe 10 minuta lojë. Këto të fundit do të ishin vërtetë të mira për Sarajlijën, Berdicën, Arrën, Ndojën, Gjokoviç, Taraboshin, Bekteshin por edhe Shestanin. Ata shënojnë disa pikë njëra pas tjetrën dhe e rrisin epërsinë, aq sa në fund do të fiksohej rezultati përfundimtar I ndeshjes 96-80. Vllaznia fiton dhe ruan kreun e klasifikimit për më tepër me një ecuri që nuk e kishin njohur kurrë më parë, 10 ndeshje- 10 fitore. Me këtë fitore, ata kanë hedhur edhe një hap më shumë drejt titullit kampion.
Vllaznia- Kamza Basket 96-80
(28-24, 24-20, 19-25, 25-11)
Gjergj KOLA