Federata Shqiptare e Basketbollit ka vendosur ta startojë sezonin e ri me një aktivitet të ri që do të organizojë sivjet. Bëhet fjalë për Kupën e Federatës e cila organizohet me pjesmarrjen e 6 ekipeve më të mira të vendit.

Në grupin A do të bëjnë pjesë Vllaznia, Tirana e Kamza, ndërsa pjesmarrëse në grupin B janë Partizani, Dinamo dhe Besëlidhja. Sa i takon skuadrës shkodrane, ajo e konsideron këtë aktivitet si një test serioz në prag të nisjes së sezonit të ri.

Trajneri Bulatoviç do të ketë mundësi ta testojë atë dhe të shohë se ku është në raport me ekipet e tjera. Sa i takon ndeshjeve të kësaj Kupe, Vllaznia do ta luajë ndeshjen e parë nesër me Kamzën, ndërsa me Tiranën do të luajë një ditë më pas.

Ekipi që do të zërë vendin e parë në grup do të fitojë të drejtën pastaj të luajë me fituesen e grupit B në finalen e së dielës. Në pamje të parë, për kuqeblutë nuk është prioritet fitimi i këtij trofeu, megjithatë ata do të futen në fushë për të fituar.

Ekipi shkodran ka zhvilluar ditët e fundit edhe një miqësore me ekipin e Kamzës të cilën e ka fituar me rezultatin 84 me 72. Objektivi i kësaj skuadre në sezonin e ri do të jetë fitimi i titullit kampion, por kjo nuk do të jetë e lehtë sepse rivaliteti me Tiranën e Teutën pritet të jetë shumë i madh, raporton shkodrasport.com.

Deri më tani te Vllaznia kanë ardhur vetëm tre lojtarë nga merkatoja, pikërisht dy amerikanët Bullock e Cashman si dhe malazezin Rakoçeviç. Ndeshjet e Kupës do të tregojnë nëse ekipi ka nevojë për të tjera përforcime apo jo në rrugën e tij plot pretendime.

Drejtuesit e kanë shprehur hapur synimin për të fituar titullin e 10-të kampion këtë sezon dhe për ta arritur këtë gjë, padyshim që duhet një ekip shumë i fortë në fushën e lojës./SHKODRA-SPORT.COM/