Vllaznia e hap këtë vit futbollistik me ndeshjen më të ndjerë të sezonit. Pikërisht kuqeblutë do e hapin me ndeshjen klasike kundër Tiranës. Takim që do luhet për javën e 16-të të kampionatit dhe që do luhet të shtunën në orën 19:45 në “Air Albania”. Patjetër kjo edhe një ndeshje direkte për titull.

Pavarësisht se Tirana kryeson me 33 pikë, 8 më shumë se shkodranët e vendit të katërt me 25 pikë, dueli pritet të dhurojë “shkëndija”. Kjo jo vetëm për historinë e pasur, por edhe për vetë objektivat madhorë që kanë të dy skuadrat në këtë sezon. Ku deri në fund do tentohet titulli kampion nga ana e të dy kampeve.

Tek Vllaznia situata duket shumë e qetë dhe pozitive. Problemet e fillim sezonit duken një kujtim shumë i largët dhe ambienti kuqeblu gëzon një humor shumë të mirë. Të besuarit e Brdariç duken më të motivuar se asnjëherë për të marrë një rezultat pozitiv ditën e shtunë në transfertën kryeqytetase.

Kjo jo vetëm për të nisur vitin në mënyrën më të mirë të mundshme, me fitimin e 3 pikëve, por edhe për të rihapur totalisht garën për kreun.

Në rast triumfi të kuqebluve në klasike patjetër që sezoni i tyre do merrte një rrjedhë totalisht tjetër, ku edhe Tirana do futej në presion për javët që vijojnë. Megjithatë duhet të presim deri të shtunën në darkë për të bërë llogaritë dhe bilancet finale të kësaj sfide.
Endri ÇINARI