Vllaznia në kolaps total! Premtimet e klubit se do të kishin gati ekipin brenda muajit qershor, jo vetëm që kanë mbetur në letër, por tashmë situata ka marrë një tjetër rrjedhë, pasi drejtuesit janë thuajse të larguar.

Bëhet fjalë pikërisht për ata që kanë menduar për ndërtimin e skuadrës në sezonin 2019-2020, administratorin Suad Lici dhe drejtorin sportiv, Engin Firat. Situata është bërë edhe më e paqartë, për vetë faktin se klubi menaxhohet tërësisht me fondet e Bashkisë së Shkodrës dhe drejtuesit aktualë janë zgjedhur nga kryetarja Voltana Ademi, e cila nuk do të jetë më në krye të këtij institucioni.

Fitorja e Bashkisë nga kandidati i majtë, Valdrin Pjetri, dhe për më tepër kalimi i Këshillit Bashkiak në krahun tjetër politik që drejtonte Shkodrën prej vitesh, pritet që të ketë ndikimin e vet edhe te klubi.

“Panorama Sport” mëson se administratori Lici dhe drejtori Firat kanë shanse thuajse zero të qëndrojnë sërish në të njëjtat pozita me një Bashki krejtësisht të re në krye dhe Këshill. Prej ditësh nga drejtuesit është paralajmëruar se e kanë pasur të pamundur të firmosin kontrata me lojtarët, sepse duke qenë se klubi është totalisht i varur nga Bashkia dhe në mes ishin zgjedhjet, nuk ka asnjë garanci se çfarë do të ndodhë, jo thjesht me të ardhmen e ekipit, por mbi të gjitha me ata që po projektojnë ndërtimin e tij.

KAOSI NË KLUB

Administratori Lici është përfaqësuesi ligjor në kontratat që nënshkruhen mes lojtarëve dhe klubit, por në këtë moment delikat, ai, me sa duket, nuk kërkon të marrë përsipër një barrë, e cila në të ardhmen mund të rezultojë fatale. “Nuk dua që të bëhem barrë e askujt në klub me vendimet që mund të marrim”, është shprehur Lici për gazetën, duke lënë që të kuptohet se as e ardhmja e tij nuk është e sigurt, e jo më të fillojë punën nga firmosja e kontratave.

Sipas të gjitha gjasave, administratori do të presë edhe pak ditë, nëse do të ketë ndonjë sinjal nga kryetari i ri i Bashkisë. Mirëpo, edhe kjo nuk është zgjidhje, pasi tranzicioni i ndërrimit të pushteteve në institucionin vendor mund të zgjasë dhe kjo do të ishte fatale për të ardhmen e Vllaznisë, aq më tepër që tashmë është kthyer në Superiore.

Drejtuesit e rinj të Bashkisë, bashkë me Këshillin Bashkiak, që është njëherësh edhe asambleja e klubit, pritet që të ngrenë një bord të ri drejtues, i cili do të votëbesojë kësisoj një tjetër administrator. Askush në këtë moment në Shkodër nuk di të thotë se çfarë do të bëhet me Vllazninë, e jo më të flitet për kontrata lojtarësh apo afrime.

Gjithçka ka mbetur në letër dhe nëse situata nuk ndryshon as këtë javë, Vllaznia rrezikon shumë për ndërtimin e ekipit, që i kanë mbetur vetëm 4 lojtarë nën kontratë, madje edhe ata kanë kërkuar largimin.