Vllaznia në javën e 7-të të Superligës do ketë duelin e shumë pritur kundër Tiranes. Klasikja e Shqipërisë që do zhvillohet ditën e shtunë në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Dueli që gjithmonë ka prodhuar histori dhe rivalitet dhe që ka shkruar një pjesë të mirë të historisë së futbollit tonë.

Kryeqytetasit bardheblu udhëtojnë drejt Shkodrës si kryesues të kampionatit me 14 pikë. Të besuarit e trajnerit Shehi po kalojnë një moment të artë pasi në 3 javët e fundit kanë arritur një kuotë të plotë pikësh duke i fituar të gjitha ndeshjet. Edhe në Shkodër kërkohet vazhdimësia e kësaj forme.

Por, nëse hedhim një sy lojtarëve të Tiranes aktuale shumica janë fytyra të reja për kampionatin tonë dhe të afruar rishtazi tek 25 herë kampionët e vendit. Kështu nga organika aktuale vetëm Michael Ngo’o ka arritur që ta gjejë rrugën e rrjetës në përballjet kundër Vllaznisë.

Sulmuesi anglez ka realizuar në “Loro Boriçi” në 31.08.2019 në javën e tretë të sezonit 2019-20. Tirana triumfonte në Shkodër në shifrat 0-2. Një tjetër bardheblu që ka shënuar kundër Vllaznisë në të shkuarën është edhe Gentian Muça në sezonin 2014-15, por që mbrojtësi ka pak gjasa që të jetë në fushën e lojës nesër.

Fytyra të reja, por edhe njohje të vjetra në duelin e nesërm. Që pavarësisht se kush do jenë lojtarët që do zbresin në fushë premton për spektakël, ashtu siç e kërkon historia e këtyre dy klubeve.
Endri ÇINARI