Vllaznia do të luajë pasditen e së shtunës një tjetër miqësore. Këtë herë ajo do të ndeshet me ekipin e Veleçikut të Koplikut dhe takimi do të luhet në orën 17.00 në fushën e kompleksit sportiv “Zmijani”.
Kjo miqësore do t’i shërbejë stafit teknik të kuqebluve për të parë edhe njëherë tjetër gjendjen e ekipit, formën e disa lojtarëve që nuk janë aktivizuar aq sa duhet në ndeshjet e para dhe po ashtu, do të aplikohen edhe skema të ndryshme të cilat do përdoren në takimet e ardhshme zyrtare.
Vllaznia e ka shfytëzuar në mënyrën e duhur këtë ndërprerje të kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtares duke zhvilluar nga dy seanca stërvitore në ditë. Kjo ndërprerje erdhi në momentin e duhur sepse skuadra kishte nevojë për një pauzë pas atij fillimi të vrullshëm ku brenda një jave luajti tre ndeshje.
Gjatë kësaj jave stafi është marrë më shumë me lojtarët të cilët kanë patur probleme fizike apo dhe dëmtimesh, duke kërkuar që ato të rikuperohen dhe të jenë të gatshëm për sfidën e rradhës. Tek ekipi shkodran tashmë e kanë lënë pas zhgënjimin e asaj çfarë ndodhi në ndeshjen me Tiranën dhe po mendojnë për sfidën e rradhës, atë që do të luajnë fundjavën tjetër në Durrës me Teutën.
Kjo e fundit e ka nisur mirë kampionatin dhe kryeson renditjen bashkë me Kukësin e Tiranën, prandaj Vllaznia do ta ketë jo pak të vështirë por jo të pamundur. Ajo ka treguar se mund të luajë si e barabartë ndaj çdo kundërshtari dhe prandaj do të tentojë të marrë pikë edhe në “Niko Dovana”, për më tepër që këtë herë edhe skuadra pritet të jetë edhe më e plotë në organikë.
www.shkodrasport.com