✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Prej 3 ndeshjesh rradhazi Bekim Balaj nuk arrin të gjejë rrugën e rrjetës në kampionat. Duke pasur kështu një “thatësirë” në aspektin personal përsa i përket gjetjes së rrjetave kundërshtare. Pavarësisht se aktualisht 34-vjeçari është golashënuesi më i mirë në kampionat me 7 gola deri më tani pas 14 javësh të luajtura. Me ish-sulmuesin e kombëtares që po ndiqet tashmë nga Bakajoko i Egnatias, i cili ka shënuar 5 gola.
Ku garës së fundmi i është bashkuar edhe Dejvi Bregu, me vlonjatin e Dinamos që po ashtu ka shënuar 5 herë këtë sezon. Por, “agjërimi” i Balajt në rradhët e Vllaznisë duket se ka ndikuar direkt tek forma dhe rezultatet e skuadrës kuqeblu së fundmi. Ku në 3 ndeshjet e fundit ku kuqeblutë nuk kanë arritur të fitojnë asnjë ndeshjeje dhe si për koicidencë apo jo në të gjitha këto ndeshje nuk ka gjetur golin Balaj. Me 9 herë kampionët e vendit që e kanë pasur të vështirë të gjejnë golin në portat kundërshtare.
Kështu së fundmi Vllaznia nuk shkoi më shumë se një barazim i mërzitshëm në shifrat 0-0 ndaj Vorës, duel i vlefshëm për javën e 14-të të kampionatit. Para këtij dueli shkodranët u mposhtën në shtëpi 0-1 nga Teuta e ndërsa në 3 duelet e fundit në kampionat ku ekipi i Martinit nuk njeh fitore është edhe barazimi 1-1 ndaj Partizanit. Ku goli i shënuar nga kuqeblutë në atë duel mban firmën e Esat Males.
Pra, qartazi shifrat tregojnë se ekipi vuan shumë për të gjetur golin kur Bekim Balaj nuk shënon. Duke treguar kështu një “varësi” ndaj shtatlartit dhe pavarësisht futbollistëve shumë cilësor që ka në përbërje Vllaznia, Balaj ngelet sërish figura kryesore dhe qëndrore e ekipit. Dhe kur ai nuk është në formën e tij, skuadra vuan shumë për të gjetur golat dhe fitoret në kampionat.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”