Në barazim 0-0 është mbyllur ndeshja e javës së dytë të kampionatit, ajo në mes ekipit të Kukësit dhe Vllaznisë, e luajtur pasditen e sotme në stadiumin e Kukësit. Shkodranët nuk kanë bindur sërish dhe sidomos në pjesën e dytë kanë zhgënjyer së tepërmi me paraqitjen e tyre në fushë. Ndonëse për këtë takim, trajneri Duro kishte hedhur në fushë tre lojtarë të tjerë në krahasim me takimin e parë me Skënderbeun, sërish nuk pati ndonjë ndryshim të madh në fushën e lojës. Në pjesën e parë kuqeblutë janë munduar të rivalizojnë disi vendasit që kanë shfaqur më shumë dëshirë megjithatë problemi kryesor për skuadrën e shkodranit Armando Cungu ka qenë mungesa e golit. Në të dytën, tek Vllaznia aktivizohen edhe Deliç, Tafili dhe Hysa dhe loja në fakt bie. Gjatë këtyre 45 minutave, asnjë rast i pastër në portën kukësiane tregon për mungesën e forcës goditëse të sulmit shkodran. Aq sa edhe radiokronistët e ndeshjes e konsiderohen Vllazninë e kësaj ndeshje si hija e vetvetes. Në këtë mënyrë pa gola është mbyllur kjo ndeshje e vlefshme për javën e dytë të kampionatit të Superligës dhe pas 180 minutash, shkodranët kanë grumbulluar vetëm një pikë. Një nisje jo ashtu siç e kishin menduar të gjithë megjithatë ndërprerja e kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtares mund të shërbejë për mirë për të riparuar gabimet e vërejtura në dy ndeshjet e para tek Vllaznia.
www.shkodrasport.com