Endri Vrapi është një futbollist që ka qenë pjesë e disa skuadrave të mëdha në Shqipëri. Ishmbrojtësi i njohur ka veshur dhe fanellat e Vllaznisë e Partizanit, dy skuadra që do të përplasen ditën e shtunë, në një sfidë titulli. “Panorama Sport” ka kontaktuar me Vrapin për të marrë një analizë më të plotë të kësaj sfide.
Në fjalën e tij, ish-mbrojtësi pranoi se Vllaznia do të ishte e kënaqur edhe me një vend në Kupat e Europës, ndërsa për Partizanin u shpreh se mund të jetë më i avantazhuar, për shkak të lojtarëve që ka në sulm.
Endri, keni luajtur për të dyja ekipet dhe i njihni mirë. Por, duke parë dhe ecurinë e tyre në javët e fundit, si e shihni sfidën Vllaznia-Partizani?
Duke u nisur nga renditja, do të jetë një sfidë tepër e luftuar nga të dyja palët. E rëndësishme është që do të jetë në ekuilibër dhe besoj se ai ekip që do të bëjë më pak gabime, do të jetë triumfues.
Për vetë faktin se Vllaznia luan në shtëpi, do të kërkojë akoma më shumë. Por, duke parë se Vllaznia bën shumë lojë sulmuese, mund të vuajë në momente të veçanta përballë Partizanit. Kjo sepse Partizani e ka treguar se në momentet më të mira të kundërshtarit, e ka goditur.
Nëse Vllaznia-Partizani nuk mbyllet në barazim, mendoni se ekipi humbës del nga gara për titullin kampion?
Jo, besoj se objektivat e Vllaznisë që në fillim kanë qenë Kupat e Europës. Por, ecuria e mirë e tyre dhe rezultatet që ka marrë, kanë thënë pse jo edhe për titullin kampion. Kam përshtypjen se Vllaznia edhe me Kupat e Europës do të jetë e kënaqur.
Partizani ka qenë disi i penalizuar nga merkato, por me kalimin e kohës, filloi të stabilizohej. Është dhe Partizani një nga pretendentët për fitimin e kampionatit. Mendoj se edhe ekipi që do të humbë në këtë sfidë, nuk do të dalë ende nga gara për titullin kampion, pasi do të ketë sfida direkte sërish me rivalët.
Çfarë ndryshimesh ka si në ambient, si në mentalitet futbolli në Shkodër dhe në kryeqytet?
Mendoj se Vllaznia, ka një futboll që kërkon gjatë gjithë kohës të sulmojë, këtë gjë e duan dhe tifozët. Edhe trajneri Brdariç kërkon gjithmonë lojë sulmuese. Kjo gjë bën disi që Vllaznia të jetë më e hapur në fushë. Nëse Vllaznia humbet në fushën e saj kundër Partizanit, mund të jetë një goditje psikologjike, por edhe për tifozët.
Ndërsa Partizani bën një lojë fanatike, lojtarët u qëndrojnë statik pozicioneve të tyre dhe kanë ekuilibër. Gjithashtu, është një ekip që suportohet shumë nga tifozët. Partizani do të jetë shumë i rrezikshëm për Vllazninë me kundërsulme.