Trajneri Ergys Luga thotë se nuk e shikon Vllazninë mes skuadrave që do të luftojnë për titullin kampion deri në fund. Duke folur në emisionin “SportZone” në MCN TV, Luga tha se shkodranët do të luftojnë për një vend në Europë, ndërsa shtoi se për titullin shikon 3 skuadra, Tiranën, Kukësin dhe Laçin.
Në lidhje me situatën aspak të mirë te Dinamo, Luga u shpreh se të blutë duhen ndërhyrje në merkato.
“Mendoj se Dinamo ka pasur shumë oshilacione gjatë rrugës. Dinamon e shikoj ndryshe nga 2-3 javët e para. Në fillim skuadra më la mbresa të mira. Gjatë rrugës Dinamo nuk u shpreh ashtu siç ne e mendonim.
Pa një merkato të mirë, kjo çështje te Dinamo nuk zgjidhet. Ka oshilacione mbrojtja. Edhe sulmi do ndryshime. Nuk e di kush e ka bërë merkaton në verë, por është shumë e vështirë të parashikohet ecuria e një skuadre. Në futboll 2+2 bëjnë 5 dhe jo 4.
Jemi në gjysmën e sezonit. Teuta dihej që do çedonte. Unë me idenë time, Teutën nuk e kisha përfshirë te skuadrat që do prekin titullin. Teutës i duhet të mbushë vendin e Kallakut.
Partizanin e kemi parë të çedojë me gabime individuale. Daja u kryqëzua dhe ekzekutimi u bë në ditën e Krishtlindjeve. Ndërrimet e trajnerëve nuk më pëlqejnë. Nëse ekipi nuk ecën, e pëson trajneri, pasi nuk mund të ndërrohen të gjithë lojtarët.
Vendi i parë i jep të drejtë se Tirana është më e mira. E them me plotgojë se Tirana ka zhvilluar ndeshje shumë të mira. Mendoj se Tirana deri tani është ekipi më i mirë.
Lista e pretendentëve është shkurtuar. Vllazinë e shikoj te ekipet që do të luftojnë për Europë. Në luftë për titull shikoj Tiranën, Kukësin dhe Laçin. Te Vllaznia nuk më bind kontingjenti. Edhe në Shkodër ka presion sepse duan titullin. Këtë vit nuk është Vllaznia e sezonit të kaluar.”, u shpreh Luga.