Vllaznia në basketboll për meshkuj vazhdon të jetë e pandalshme në kampionat. Pasditen e së premtes ajo ka luajtur në Tiranë ndaj ekipit të Universitetit Amerikan të Tiranës dhe e ka mundur me rezultatin 74 me 50. Në këtë mënyrë, ky ekip ka vazhduar serinë e fitoreve duke qenë kësisoj sërish në vendin e parë në renditje. Ndeshja në fakt ka nisur e barabartë teksa perioda e parë është fituar nga ekipi I studentëve me rezultatin 21 me 20 por vetëm kaq. Në të dytën është Vllaznia që fiton 20 me 16 dhe kësisoj dy skuadrat kanë shkuar në pushimin e ndeshjes me një epërsi prej tre pikësh të shkodranëve.
Në periodën e tretë do të vulosej edhe fati I ndeshjes sepse skuadra e drejtuar nga trajneri Bledar Gjeçaj ka fituar thellësisht 23 me 2 dhe këtu është mbyllur gjithçka. Në të katërtën që mbyllet në shifrat 11 me 11, vetëm sa është pritur fundi I takimit sepse Vllaznia e kishte siguruar tashmë fitoren me rezultatin perfundimtar 74-50. Kjo ka qenë e nënta për të në po aq ndeshje të luajtura. Në këtë mënyrë, ky ekip vazhdon ecurinë e shkëlqyer në kampionat teksa ndihet I pathyeshëm megjithatë këtë do ta konfirmojë më mirë ndeshja e javës së ardhshme, ajo që do të luajë në Shkodër ndaj kampionëve në fuqi të Kamza Basket. Nëse shkodranët e mundin sërish këtë skuadër, atëherë hidhet edhe një hap më shumë drejt titullit kampion këtë sezon sepse do përforcoheshin pozitat në vendin e parë në renditje, çka do të thoshte se ata do kishin një ndeshje më tepër ndaj këtij rivali në plej- of. Megjithatë pa shkuar aq larg, basketbollistët e Vllaznisë e kanë mendjen tek ballafaqimi I së shtunës të ardhshme me Kamzën që do të luhet në “Qazim Dervishi”.
Gjergj KOLA