Vllaznia nuk ka në plan që ta mbyllë këtu me merkaton. Pasi morën Ismael Dungën, duan edhe një tjetër qendërsulmues. Tomas Brdariç e ka thënë se i duhen dy lojtarë për këtë rol, ndaj edhe klubi po bëhet gati për një tjetër “goditje”.

Në planet e tyre janë dy emra, por vetëm njëri do të vijë. Në krye të listës qëndron Rubin Hebaj, me të cilin kanë kontaktuar tashmë.

Shkodrani që po shkëlqen me Teutën (shënoi gol ndaj Beitar Jerusalemit në turin e parë të Ligës së Europës dhe dopietën ndaj Tiranës për llogari të Superiores), është dëshira e madhe. Atij i mbaron kontrata pas aventurës europiane, e megjithatë nuk përjashtohet mundësia që në Durrës ta blindojnë. Dhe nëse kjo ndodh, atëherë kuqeblutë do të mbeteshin “thatë”.

PLANI “B” PËR SULMIN

Drejtuesit i kanë marrë masat edhe për këtë pjesë. Prej kohësh po bisedojnë edhe me një qendërsulmues maqedonas. Bëhet fjalë për Marko Simonovskin, i cili sezonin e fundit e mbylli te rumunët e Volunatarit.

U bë kohë që klubi po mundohet ta bindë, megjithatë kanë ngecur te financat. Kuqeblutë i kanë ofruar afro 4 mijë euro në muaj, ndërsa ai pret dyfishin. Gjithsesi, nuk mund të quhet ende e mbyllur si pistë.

Kujtojmë që deri më tani janë afruar 13 futbollistë te shkodranët, ndaj edhe vetë tifozët kanë interes të shohin se cili do të jetë formacioni “tip” i gjermanit të stolit. Miqësoret që kanë planifikuar gjatë qëndrimit në Korçë, do të shërbejnë për të krijuar një panoramë më të qartë edhe për 11-shen.