Vllaznia mbetet “peng” e zgjedhjeve. Pa marrë drejtim kjo histori, klubi i futbollit nuk mund të nisë nga puna për Kategorinë Superiore. Kur dihet që janë të varur totalisht nga Bashkia Shkodër (që zotëron 100% të aksioneve), nuk e kanë luksin që të nxitojnë për merkaton.

Të paktën nuk mund të flasin më konkretisht për terma financiarë dhe as të mbyllin marrëveshje. E megjithatë, kjo nuk po i pengon drejtuesit më të lartë që të paktën të vendosin disa piketa për sezonin 2019- 2020 dhe të jenë të parapërgatitur për atë që do të ndodhë. Skuadra pritet që të ribëhet në masën 70%, por ka edhe nga ata futbollistë që klubi do të bëjë çmos që t’i blindojë.

RINOVIMET – Dhe rasti konkret është ai i Alen Sherrit, Olsi Gocajt dhe Silvio Xhuniorit. Që të tre kanë bindur gjatë edicionit të fundit në Kategorinë e Parë dhe shihen si “bazë” për ekipin e së ardhmes, ashtu si Ardit Krymi dhe Erdenis Gurisha që janë nën kontratë me klubin. Gazeta “Panorama Sport” zbulon se portieri, mbrojtësi dhe sulmuesi janë kontaktuar nga drejtuesit dhe u është bërë e qartë se janë në listën e lojtarëve që do t’u ofrohet rinovimi.

Nëse për dy shkodranët firma mund të duket deri diku e sigurt (gjithnjë nëse kushtet financiare do të jenë të kënaqshme), situata komplikohet për brazilianin. Edhe pse te Vllaznia e llogarisin në sulm edhe për elitën, a do të jetë i gatshëm “bomberi” i kuqebluve që të presë derisa të marrë drejtim çështja e zgjedhjeve në Shqipëri…? Dhe kësaj pyetjeje vetëm Xhunior mund t’i japë një përgjigje.

Megjithatë, në klub janë besimplotë edhe për autorin e 12 golave, madje mësohet se ai para se të ikte për në Brazil ka lënë të hapur mundësinë e zgjatjes së kontratës. Nga ana tjetër, nuk ka informacione nëse kanë nisur apo jo kontaktet me titullarët të tjerë, si kapiteni Gilman Lika apo mesfushorët Alsid Tafili e Arsen Hajdari.

AFRIMET – Merkatoja do të nisë me rinovimet, e megjithatë që të ndërtohet një ekip i denjë dhe të mos e diskutojë më mbijetesën, duhen edhe afrime cilësore. Për këtë motiv drejtuesit më të lartë të klubit kanë nisur me kohë nga puna.

Më konkretisht, drejtori sportiv, Engin Firat, ka nisur kërkimet brenda dhe jashtë vendit. Një listë dëshirash ekziston tashmë dhe i vetmi detaj që mësohet është se në Shqipëri do të lakmohen vetëm futbollistë që kanë luajtur në Kategorinë Superiore.