Pas shumë vitesh mungesë, Vllaznia përfaqësohet edhe me sportistë në stilin e mundjes klasike dhe madje në mënyrën më të mirë të mundshme duke nxjerrë menjëherë kampionë. Dy sportistë të këtij ekipi janë shpallur kampionë kombëtarë për grupmoshën U15 në garat e kampionatit kombëtar që u zhvilluan ditën e djeshme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës.

Bëhet fjalë për sportistët Enes Anza që u shpall kampion në peshën 75 kg si dhe Amar Brahimin që u shpall kampion kombëtar në peshën 85 kg. Por jo vetëm kaq. Amar Brahimi ka marrë edhe kupën e mundësit më të mirë të kampionatit dhe padyshim që kjo është një tjetër arritje.

Përpos këtyre dy mundësve për t’u veçuar janë edhe paraqitjet e Imran Bushatit që ka zënë vendin e dytë duke u shpallur nënkampion në peshën 38 kg si dhe Amar Toro po ashtu nënkampion në peshën 41 kg.

Ndërkohë si ekip Vllaznia e drejtuar nga trajneri Altin Anza ka zënë vendin e tretë duke treguar edhe njëherë tjetër se është në rrugën e duhur për t’u rikthyer në traditën e shkëlqyer që ky sport ka patur vite më parë në Shkodër dhe padyshim që rikthimi tashmë edhe në stilin e klasikes është një tjetër lajm i mirë.(www.shkodrasport.com)