10 ditët e pushimit mbarojnë sot për futbollistët e Vllaznisë dhe nga e hëna ata do të jenë në stërvitje. Tashmë nuk do të ketë më kohë për të pushuar sepse sezoni I ri është në prag dhe ekipi duhet të vijojë me përgatitjet.
Në seancën e parë ende nuk është e qartë nëse do të ketë ndonjë emër të ri apo jo. Po përfliten disa të tillë që mund të vishen kuqeblu për sezonin e ri, por deri më tani të zyrtarizuar janë vetëm mbrojtësi Diagne, mesfushori Gustavo dhe sulmuesi Aralica.
Për të tjerë nuk ka asgjë të kryer dhe mbase seanca e së hënës mund të zbulojë më tepër. Drejtuesit janë marrë shumë me këtë aspekt ditët e fundit dhe tashmë pritet ardhja edhe e lojtarëve të tjerë cilësorë.
Vllaznia do të jetë në Shkodër deri në fund të javës së ardhshme e më pas do të largohet jashtë Shqipëri për të zhvilluar atje pjesën më intensive të përgatitjeve. Ende nuk është përcaktuar përfundimisht se ku do të shkojë, por me shumë të ngjarë kuqeblutë do të jenë sërish në Zllatibor të Serbisë, aty ku ishin edhe në muajin qershor.
Skuadra e drejtuar nga Thomas Brdariç do të ketë si objektiv fitimin e të tre trofeve në sezonin e ri dhe si rrjedhojë, për këtë I duhet jo vetëm një përbërje lojtarësh cilësorë, por edhe një përgatitje e mirë fizike. Gjatë sezonit të kaluar, pikërisht ajo ka qenë një nga armët më të forta të saj dhe e tillë pritet të jetë edhe në sezonin e ri./SHKODRA-SPORT.COM/