Dy sezonet e fundit, Vllaznia është projektuar si një skuadër që synon gjithnjë maksimumin, siç është edhe fitimi i titullit kampion. Shkodranët që nga sezoni 2000-2001, kur nën drejtim ishte Dervish Haxhiosmanoviç, nuk ia kanë dalë dot të shpallen kampion.

Përpjekjet i kanë pasur gjithnjë të mëdha, por edhe pse i kanë shkuar afër, në dy vitet e fundit janë mjaftuar vetëm me trofeun e Kupës, për dy vite rradhazi, gjë që ndodhi për herë të parë në historinë e tyre.

Edhe këtë sezon, synimi do të jetë maksimumi i mundshëm, edhe pse pritet të jetë si gjithnjë një mision i vështirë, por jo i pamundur. Për këtë arsye, kanë bërë ndryshime në staf dhe në futbollistë, edhe pse kampionët i kanë me “pikatore”.

Për të pretenduar të jesh kampion, të duhet edhe një skuadër kampionësh, të cilët e njohin mirë se ç’do të thotë të mbash presionin e titullit. Një nga ata që e di mirë se ç’do të thotë të fitosh një kampionat, është trajneri.

Mirel Josa ka arritur të fitojë plot pesë tituj kampion në Superiore, një me Tiranën dhe katër me Skënderbeun, duke mos llogaritur këtu edhe Kupat apo edhe Superkupat. Të njëjtën gjë, trajneri Josa shpreson ta përsërisë edhe te Vllaznia. Tashmë në Shkodër, skeptikët nuk mungojnë, por trajneri mund t’u vërtetojë të kundërtën.

Për të vijuar më pas me futbollistët, i vetmi nga ekipi aktual që ka fituar jo një por dy tituj kampion në vendin tonë, është pikërisht Liridon Latifi, bashkëkohës i Josës te Skënderbeu disa sezone më parë. Gjithashtu, mesfushori pritet që të ketë një rol të rëndësishëm në ekipin e këtij sezoni në Shkodër.

Dy të tjerët që e kanë provuar shijen e titullit janë Darko Bulatoviç dhe Ante Aralica, të cilët kanë ngritur trofeun, kur kanë qenë pjesë e ekipeve të tyre rrespektive, si Sutjeska në Malin e Zi dhe Rudesh në Ligën e Dytë të Kroacisë. Për ta mbyllur me kosovarin Lorik Boshnjaku, i cili ka triumfuar në Kosovë me ekipin e Prishtinës në vitin 2021.

Me pak fjalë, nga ekipi aktual i Vllaznisë, janë vetëm katër futbollistë, që e dinë se ç’do të thotë të fitosh një kampionat, duke i prirë sigurisht trajneri Josa, i cili ka detyrën për të kompozuar skuadrën dhe të marrë maksimumin nga futbollistët në fushë.

Nga ana tjetër, nuk mungojnë futbollistët, që ia kanë dalë të fitojnë Kupa dhe Superkupa apo kampionate të nivelit të ulët. Megjithatë, për Josën me sa duket, nuk kanë shumë rëndësi trofetë që kanë fituar në të kaluarën futbollistët, por do tentojë që t’ia dalin së bashku që ta fitojnë kampionatin këtë sezon me Vllazninë.
Maringlen ZHIVANI