Vllaznia U17 ka marrë një fitore të thellë në shifrat 6-0 në ndeshjen e sotme ndaj Skënderbeut, e vlefshme për javën e 6-të të kampionatit të kësaj grupmoshe. Përballja në mes këtyre dy ekipeve është luajtur mesditën e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe është shoqëruar nga reshje të shumta të cilat kanë ndikuar dukshëm në lojën e zhvilluar.

Megjithatë duhet thënë se kjo përballje ka qenë e dominuar në të gjitha drejtimet nga futbollistët kuqeblu të drejtuar nga trajneri Amarildo Belisha. Në pjesën e parë ata kanë shënuar tre gola dhe autorë të tyre janë Gjozef Selja, Armando Vuksani dhe Sokol Uldedaj.

Po kaq gola janë shënuar edhe në pjesën e dytë të këtij takimi dhe këtë herë autorë të tyre kanë qenë Emiljano Mani, i cili ka shënuar dy herë, si dhe Armando Vuksani që ka shënuar përsëri duke plotësuar edhe ai dygolëshin e tij.

Në këtë mënyrë gjithçka është mbyllur me shifrat e thella 6-0. Me këtë fitore, Vllaznia U17 është ngjitur në kuotën e 10 pikëve (me 3 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje në 6 ndeshje të luajtura dhe me golaverazh 19-9), duke mbajtur për momentin vendin e pestë të renditjes.(www.shkodrasport.com)