Barazim pa gola në mes Vllaznisë së vendit të tretë dhe Tiranës kryesuese të kampionatit kombëtar të 17 vjeçarëve. Ky është verdikti i ndeshjes së luajtur paraditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi”.

Përballja ka qenë vërtetë shumë interesante dhe e luftuar. Futbollistët e të dy ekipeve janë munduar të shënojnë në portat respektive, por kanë qenë të pafat.

Duhet thënë se Vllaznia U17 ka qenë më agresive, e ka kërkuar me ngulm golin me anë të sulmuesit të saj kryesor Perloshi, por edhe me Spahinë, Delajn e Papajn, por nuk ia ka dalë dot të shënojë.

Në pjesën e dytë presioni u rrit edhe më tepër sepse shkodranët tentonin me çdo kusht fitoren për t’u ngjitur edhe më shumë në renditje, por gjithsesi nuk ia kanë dalë.

Me këtë pikë të marrë sot ndaj kryesuesve, Vllaznia U17 mbetet në vendin e tretë në renditje me 30 pikë ndërkohë që Shënkolli që ndodhet në vendin e dytë ka 32 pikë dhe një ndeshje më pak të luajtur.
© shkodrasport.com