Tjetër fitore për Vllaznia U19 dhe ajo tashmë i ka forcuar edhe më shumë pozitat në vendin e parë në renditje. Sot ajo ka mundur 3-2 ekipin e vendit të dytë, Shënkollit dhe tashmë e ka çuar në pesë pikë diferencën me të.
Takimi i luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” është shoqëruar me një luftë të fortë sportive nga fillimi e deri në vërshëllimën përfundimtare të arbitres që e mbajti atë.
Në minutën e 13-të ka qenë mbrojtësi Pusi i cili ka kaluar në avantazh Vllaznia U19, ndërkohë që Bizi ka shënuar të dytin në minutën e 29-të. Ndërkohë, pak para fundit të pjesës së parë, Çuni ka ngushtuar shifrat për Shënkollin dhe në këtë mënyrë ajo është mbyllur me avantazhin 2-1 për shkodranët.
Ndërkohë në minutën e 74-të ka qenë mbrojtësi Smajli që ka shënuar një supergol me një gjuajtje fluturimthi nga jashtë zonë. Por shtatë minuta më vonë Daija do të shënonte golin e dytë për miqtë duke lënë gjithçka hapur deri në fund të takimit.
Përfundimisht 3-2 për Vllaznia U19 që me këtë fitore është ngjituë në kuotën e 28 pikëve dhe mban vendin e parë në renditje, ndërkohë që në vend të dytë tashmë është Shkëndia e Tiranës me 24 pikë./SHKODRA-SPORT.COM/