Vllaznia e këtij sezoni nuk është një ekip me titullarë të padiskutueshëm dhe futbollistë që është e vështirë të ulen në stol.

Të paktën, një gjë të tillë thonë shifrat, paçka se ekipi shkodran ka qenë shumë i kushtëzuar edhe nga dëmtimet. Trajneri Mirel Josa ka shumë mundësi zgjedhje, në një kohë që gjatë këtyre nëntë javëve të para të kampionatit, ka pasur shumë lëvizje.

Vetëm tre futbollistë janë aktualisht, që kanë luajtur në të gjitha takimet e deritanishme, duke mos u zëvendësuar. Kështu, portieri Bojan Zogoviç, kapiteni Erdenis Gurishta dhe mbrojtësi Marko Juriç janë tre futbollistët që i kanë luajtur të gjitha minutat e mundshme. Realisht, Josa ka nevojë për eksperiencën e tyre.

Në fakt, shihet qartë që janë shumë pak futbollistët që luajnë maksimalisht. Sigurisht, këtu kanë ndikuar edhe dëmtimet, por edhe fakti që trajneri Josa ka shumë futbollistë në dispozicion, nuk lë shumë hapësira që të ketë të pazëvendësueshëm.

Sigurisht që, pjesë e klubit janë edhe futbollistë që edhe pse janë federuar, ende nuk kanë provuar të luajnë për asnjë minutë. Megjithatë, ajo që vlen për t’u theksuar është se porta dhe mbrojtja janë repartet, ku futbollistët kanë ndryshuar shumë-shumë pak.
Maringlen ZHIVANI