“Panorama Sport” iu sjell më poshtë pikantet nga ndeshja Laçi-Vllaznia, e cila u fitua nga kurbinasit me rezultatin 1-0.
-Vllazninë e ndoqi në Laç edhe kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, dhe sponsori Xhaferi. Nuk mungoi edhe ish-administratori Lici.
-Enis Çokaj, futbollisti kuqezi, ndoqi këtë ndeshje. Festoi golin e Xhixhës dhe në fund u takua për disa minuta me presidentin Laska.
-Tifozë të Vllaznisë, rreth 30 vetë, ishin në listën e ekipit. Për shumë minuta ata ishin të zhurmshëm. Edhe tifozët vendës e ndoqën takimin, por ndryshe nga miqtë, ishin te tarracat anash stadiumit.
-Shpëtim Duro debuton me fitore në shtëpi. Pas ndeshjes, trajneri urdhëroi që lojtarët e paaktivizuar të bënin një seance të shkurtër.
-Para se Duro të prononcohej për mediat, paraprakisht u takua me presidentin Pashk Laska, i cili e uroi për fitoren.
-Drejtori i Vllaznisë, Matko Djarmati, në pjesën e dytë braktisi pozicionin e tij dhe u vendos te tribuna veriore ku sulmonte Vllaznia. Madje, në disa raste orientoi lojtarët, kryesisht sulmuesin Dilaver.