Janë mbyllur ndeshjet e para të Ligës “Gjergj Kastrioti”, pikërisht ato të xhiros së parë dhe të dytë që u zhvilluan fundjavën që shkoi në Ferizaj të Kosovës dhe ekipi i volejbollit të meshkujve të Vllaznisë e ka nisur këtë kompeticion me dy humbje.

Në të parën ai është mundur me rezultatin 3-1 nga vendasit e Ferizajt. Ndeshja ka nisur më mirë për këtë të fundit që e fitoi setin e parë 25-15, por Vllaznia reagoi në të dytin duke fituar 25-21 dhe duke barazuar setet. Kjo krijoi idenë se mund të tentonte fitoren e ndeshjes por nuk ndodhi kështu.

Ferizaj luajti më mirë në dy setet e tjera që i fitoi 25-18 dhe 25-21 duke fituar edhe krejt ndeshjen me rezultatin 3-1. Ndërkohë në ndeshjen e dytë, Vllaznia është ndeshur me ekipin tjetër kosovar, atë të Skënderbeut ndaj të cilit ka humbur me rezultatin 3-2.

Shkodranët fituan setin e parë dhe të katërt, por pa mundur dot të bëjnë më shumë sepse në atë final janë mundur me rezultatin 15-11 dhe në këtë mënyrë janë detyruar të pranojnë humbjen.

Pas dy xhirove të para të Ligës “Gjergj Kastrioti”, grupin B e kryesojnë Skënderbeu dhe Partizani me nga 4 pikë, në vend të tretë është Ferizaj me 3 pikë dhe mbyll tabelën e këtij grupi Vllaznia me vetëm 1 pikë./SHKODRA-SPORT.COM/