Vllaznia e volejbollit të meshkujve ka zhgënjyer edhe sot në ndeshjen e rradhës për kampionat. Pas eliminimit nga Liga “Gjergj Kastrioti”, volejbollistët shkodranë kanë dështuar edhe sot në përballjen ndaj Skënderbeut, luajtur në Korçë teksa janë mundur me rezultatin 1-3.
Takimi nuk ka nisur mirë për kuqeblutë e trajnerit Kalaja dhe si rrjedhojë e kanë humbur setin e parë në shifrat 17-25. Më pas edhe të dytin 15-25 duke krijuar bindjen se po shkonin drejt një humbje të sigurtë. Megjithatë Vllaznia reagoi në setin e tretë duke e fituar atë 25-23 dhe kjo bëri që të kishte shpresa për barazim.
Por nuk do të ndodhte kështu, pavarësisht përpjekjeve të volejbollistëve shkodranë. Seti i katërt do të kishte shumë rivalitet megjithatë në fudn do të sihte Skënderbeu që do të fitonte 28-26 dhe në këtë mënyrë krejt ndeshjen me rezultatin 3-1.
Me këtë fitore, njëkohësisht korçarët i marrin vendin e tretë Vllaznisë në tabelën e klasifikimit sepse ata tashmë kanë 14 pikë kundrejt 12 pikëve që vazhdon të ketë ekipi shkodran.


