✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”

Vllaznia në volejboll për meshkuj ka marrë edhe fitoren e dytë rradhazi në ndeshjet e Ligës “Gjergj Kastrioti”. Ditën e sotme, ajo ka fituar me rezultatin 3-2 ndaj ekipit të Ferizajt. Ndeshja është luajtur në sallën sportive “Bill Klinton” të Ferizajt dhe është shoqëruar nga një luftë e fortë sportive.

Ekipi i Ferizajt vinte në këtë përballje pas fitores dje 3-2 ndaj Partizanit dhe si rrjedhojë sfida bëhej edhe më interesante për kreun e renditjes. Ndeshja nisi më mirë për shkodranët që e fituan setin e parë me shifrat 25-20.

Vendasit ndërkohë fituan të dytin në të njëjtat shifra duke barazuar numrin e seteve, madje Ferizaj do të merrte edhe të tretin me rezultatin 25-22, por Vllaznia nuk heq dorë nga pretendimet e saj dhe fiton të katërtin me shumë lehtësi 25-15 duke barazuar në 2-2 numrin e seteve.

Seti final do të ketë barazpeshë, por kuqeblutë do të tregoheshin më efikasë në fund duke fituar 15-13 dhe në këtë mënyrë krejt ndeshjen me rezultatin 3-2.

Në këtë mënyrë pas ndeshjeve të javës së dytë të Ligës “Gjergj Kastrioti”, Vllaznia e trajnerit Artan Kalaja ka 5 pikë dhe kryeson renditjen e grupit A, duke lënë Partizanin me 4 pikë në vendin e dytë dhe Ferizajn me 3 pikë në vendin e tretë. Ndeshjen e fundit në grup, ekipi shkodran do ta ketë përballë Partizanit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”