Tirana ka fituar 2-0 me Laçin në “Selman Stërmasi”. Sfida e javës së katërt në Superligë ka folur për bardheblutë, që i janë falur dy autogolave të bardhezinjve. 25 herë kampionët e kanë nisur mirë ndeshjen, teksa kanë pasur mundësi me Ismajlgecin. Pjesa e parë do mbyllej me rrjeta të paprekura, ndërsa në të dytën bardheblutë do kalonin në avantazh në të 52 minutë.

Një aksion I rrjedhshëm ka detyruar Roganovic të dërgojë sferën në portën e tij, ndërsa thuajse me një aksion fotokopje në të 75 minutë, Ignatovic sërish me një autogol do çonte shifrat në 2-0. Me këtë tri pikësh bardheblutë shkojnë në kuotën e tetë pikëve dhe marrin përkohësisht kreun e renditjes në Superligë, në pritje të sfidës së pasdites mes Kukësit dhe Teutës. Laçi mbetet në kuotën e dy pikëve në vendin e parafundit.

Pas ndeshjes për Gol pas Goli, trajneri i Laçit, Dajan Vukiçeviç tha:

“E dinim që po luanim një derbi që nëse bën një gabim do e paguash shtrenjtë, I kemi dhuruar dy gola kundërshtarit, kur ekipi dilte në fazën sulmuese. Mbrojtësit humbën disa topa që nuk kuptohen në mesin e fushës. E dimë cilësinë e lojtarëve të Tiranës dhe sulmuesit e tyre qëndrojnë para për kundërsulm.

Pjesën e parë pashë një luftë për të fituar në dy ekipe, nuk kishte raste apo kualitet. Pas daljes nga dhomat e zhveshjes nuk e kuptoj si luajtëm ashtu sepse nuk bëmë asgjë.

Humbët agresivitetin? Kemi reaguar gjithmonë në tre ndeshjet e para kur kemi pësuar. Me Kukësin ishim 0-2 dhe barazuam, edhe me Vllazninë bëmë njësoj. Më shumë agresivitet në rikuperime nuk do ishte keq. Duket sikur luajmë në një fushë ku nuk ka faulle, duhet të qëndrojmë bashkë si grup në mbrojtje dhe nuk e kemi bërë mirë. Rivali e gjeti rrugën të na shënonte.

Golat I humbëm vetë, sepse pasuam për lojtarët kundërshtarë dhe jo lojtarët tanë. Në pjesën e parë I mbyllëm mirë, pas golave është normale që lë hapësirë dhe ka rrezik. I përgëzoj kundërshtarët sepse na mundën, do bëjmë mirë.

10 gola të pësuar në katër javë, ndihmet trajneri në presion për vendin e punës? Nuk jam I lumtur me dy pikë në katër ndeshje. E dinim kalendarin e vështirë, vinim pas Evropës. Rregulla dhe kërkesa të reja në dhomat e zhveshjes, e dimë që kjo do pak kohë. Nuk erdha që të fitoja kampionatin pas katër ndeshjesh, por erdha të punoja si çdo ditë. Ndiej përgjegjësi si trajner. Do respektoj çdo vendim të klubit”, tha Vukiçeviç./newsport/