Stadiumi “Uindsor Park” në Belfast të Irlandës së Veriut, ku dje në orën 20:45 u zhvillua ndeshja Linfild-Vllaznia (3-1), më tepër i ngjante një atmosfere ku shkodranët dukeshin pritës.
Rreth 400 shkodranë, të cilët më së shumti jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Britaninë e Madhe, kanë pushtuar stadiumin e Linfildit, duke befasuar jo pak edhe tifozët vendës.
Thirrjet e tyre “Vllaznia, Vllaznia”, nuk pushuan për 90 minuta, madje edhe atëherë kur Linfildi shënoi golin e tretë dhe historia e ndeshjes dukej e mbyllur.
Ata që kanë ndjekur dje Linfild-Vllaznia përmes “Supersport” kanë dëgjuar vetëm brohoritje të shumta në mbështetje të skuadrës shkodrane, por kjo nuk mjaftoi që ekipi të merrte një rezultat pozitiv në këtë takim të parë.


