Vllaznia e këtij sezoni e nisi si surprizë, por tani po rezulton një realitet i bukur, ku shkodranët një e nga një po i kalojnë barrierat dhe kundërshtarët. Pa dyshim meritë në këtë sukses kanë drejtuesit që në fillim të sezonit zgjodhën stafin e duhur me në krye trajnerin Thomas Brdariç, dora e të cilit duket te Vllaznia.
Në këtë përzgjedhje ka ndikuar vendimmarrja e sponsorit Alban Xhaferi, i cili në një komunikim “online” me tifozët para ndeshjes me Bylisn ka zbardhur edhe disa prapaskena, që kanë të bëjnë me afrimin e trajnerit kroato-gjerman dhe të ardhmen e tij, ku shumë shpejt do të rinovohet me Brdariç.
Gjatë komunikimit me tifozët para transfertës së Ballshit, mes të tjerash sponsori Alban Xhaferi u shpreh: “Përpara se të afrohesha te skuadra e futbollit të Vllaznisë, diskutoja me njerëzit e afërt, që nëse do të merrja drejtimin e klubit, do të afroja një trajner gjerman.
Jam tifoz i Gjermanisë dhe ajo që më pëlqen nga ky vend është korrektesa e madhe. Klubi kishte nevojë për një gjë të tillë dhe eksperimenti ka rezultuar me sukses. Kontrata do t’i rinovohet urgjentisht trajnerit Brdariç. Më pëlqen shumë mënyra sesi punon, madje ka dalë përtej pritshmërive.
Nuk ka fare ‘mëshirë’ dhe e kemi parë edhe në ndeshjet miqësore apo në Kupë duke shënuar nga 5-5 gola. Madje me humor i thoja: Po mjaft se kemi ardhur për qejf këtu. Djemtë janë nisur për fitore në Ballsh dhe vështirë se i ndal ndokush”.
Pas suksesit me Bylisin sponsori Xhaferi gëzimin e shprehu me një status në profilin e tij në rrjetet sociale ku shkruante: “ Ne besuam deri në fund dhe fituam. Ardit Hoxhaj, ylli nga Vlora. Rikthim te suksesi”.